NAIM FRASHËRI Figura qendrore e letërsisë shqiptare të Rilindjes, ai që u bë shprehës i aspiratave të popullit për liri e përparim, si poet i madh i kombit, është Naim Frashëri, bilbili i gjuhës shqipe. Naimi lindi më 25 maj 1846 në Frashër, që ishte edhe një qendër bejtexhinjsh. Mësimet e para i mori tek hoxha i fshatit në arabisht e turqisht. Që i vogël nisi të vjershëronte. Studimet e mesme i kreu në Janinë, në gjimnazin e njohur "Zosimea". Aty horizonti i tij kulturor u zgjerua së tepërmi, njohu letërsinë, kulturën dhe filozofinë klasike greke e romake, ra në kontakt me idetë e Revolucionit Borgjez Francez dhe me iluminizmin francez. Duke përvetësuar disa gjuhë, si: greqishten e vjetër e të renë, latinishten, frëngjishten, italishten e persishten, Naimi, jo vetëm që mori bazat e botëkuptimit të vet, por njohu edhe poezinë e Evropës e të Lindjes. Të gjitha këto tradita poetike ndikuan në formimin e tij si poet. Më 1870, pas mbarimit të shkollës, shkoi për të punuar në Stamboll, por u prek nga turbekulozi dhe u kthye në Shqipëri në klimë më të shëndetshme. Gjatë viteve 1872-1877 Naimi punoi në Berat e në Sarandë si nëpunës. Kjo periudhë pati rëndësi të veçantë në formimin e tij. Atdhetar e si poet. Ai njohu më mirë jetën e popullit, zakonet, virtytet dhe aspiratat e tij, gjuhën e bukur e shpirtin poetik të njerëzve të thjeshtë, krijimtarinë popullore, bukurinë e natyrës shqiptare. Ndërkohë vendi ishte përfshirë në ngjarjet e mëdha të lëvizjes çlirimtare, që do të sillnin formimin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit më 1878, udhëheqës i së cilës ishte Abdyli, vëllai më i madh i Naimit. Naimi dha ndihmesën e vet për krijimin e degëve të lidhjes në Jugun e Shqipërisë, përkrahu dhe përhapi programin e saj. Më 1880, kur veprimtaria e Lidhjes ishte në kulm, ai shkroi vjershën e gjatë "Shqipëria", në të cilën shpalli idetë kryesore të Rilindjes. Me këtë krijim Naimi niste rrugën e poetit kombëtar. Më 1881 Naimi u vendos përfundimisht në Stamboll, ku u bë shpirti i Shoqërisë së Shkronjave dhe i lëvizjes së atdhetarëve shqiptarë. Gjithë forcat dhe talentin ia kushtoi çështjes kombëtare, punoi për ngritjen e shkollës shqipe dhe hartoi libra për të, shkroi vjersha, përktheu e botoi vazhdimisht, duke ndihmuar për zhvillimin e letërsisë sonë, për botim edhe të shumë veprave të autorëve të tjerë. Lëvizja kombëtare, idealet e çlirimit të Shqipërisë, të përparimit e të qytetërimit të saj, u bënë faktori themelor që ndikoi në formimin e Naimit si poet e atdhetar. Fjalët e Qiririt Në mes tuaj kam qëndruar E jam duke përvëluar, Që t'u ap pakëzë dritë, Natënë t'ua bënj ditë. Do të tretem, të kullohem, Të digjem, të përvëlohem, Që t'u ndrinj mir' e të shihni, Njëri-tjatërin të njihni. Për ju do të rri të tretem, Asnjë çikë të mos mbetem, Të digjem e të qanj me lot,Se dëshirën s'e duronj dot. Unë zjarrit nuk i druhem Dhe kurrë s'dua të shuhem, Po të digjem me dëshirë, Sa të munt t'u ndrinj më mirë. Kur më shihni se jam tretur, Mos pandehni se kam vdekur; jam i gjall' e jam ndë jetë jam në dritët të vërtetë, Unë jam në shpirtit tuaj, Mos më kini për të huaj, M'është falurë durimi, Andaj po digjem si trimi, Se ma k'ënda t'u bënj mirë, Të mos mbeti n'errësirë. Jakëni rreth meje rrini, Flisni, qeshni, hani, pini, Në shpirt kam dashurinë, Pa digjem për njerëzinë, Lemëni të përvëlohem, nukë dua më të ftohem, Dua ta djek trupn' e shkretë Për atë zotn' e vërtetë. Me zjarr ta djek mushkërinë E të tretem për njerinë, Bashkë me gëzimt të tija të vete te perëndia. Krijimtaria e gjerë letrare e Naimit, me veprat poetike e didaktike, kap një periudhë të shkurtër prej 13 vjetësh (1886-1899). Vetëm në vitin 1886 ai botoi veprat "Bagëti e Bujqësia", "Vjersha për mësonjëtoret e para", "Histori e përgjithshme" dhe poemën greqisht "Dëshira e vërtetë e shqiptarëve", "E këndimit çunavet këndonjëtoreja". Më 1885 botoi përmbledhjen me vjersha persisht "Tehajylat" (Ëndërrimet) më 1888 botoi "Dituritë", më 1890 "Lulet e verës", më 1894 "Parajsa dhe fjala fluturake", më 1898 "Historia e Skënderbeut" dhe "Qerbelanë" dhe më 1889 "Historia e Shqipërisë". Sëmundja dhe lodhja e madhe ia keqësuan shëndetin poetit, zemra e të cilit pushoi së rrahuri më 20 tetor 1900, në moshën 54-vjeçare, i zhuritur nga malli për atdheun dhe me brengën që s'e pa dot të lirë. Vdekja e poetit qe një zi e vërtetë kombëtare. Shqiptarët kishin humbur atdhetarin e kulluar, apostullin shqiptarizues, poetin e madh. Dhembjen dhe vlerësimin për Naimin e shprehu bukur elegjia e Çajupit, që niste kështu: Vdiq Naimi, vdiq Naimi, moj e mjera Shqipëri, mendjelarti, zemërtrimi, vjershëtori si ai. Naim Frashëri vuri themelet e letërsisë kombëtare shqiptare. Vepra e tij shënoi lindjen e një letërsie të re me vlera të vërteta artistike. Ajo shprehte aspiratat e shoqërisë shqiptare të kohës dhe ndikoi fuqishëm në luftën e saj për liri e progres. Naimi krijoi traditën e letërsisë patriotike, qytetare, ai solli në letërsi botën shqiptare, aspiratat jetike të popullit. Dashuria për Atdheun, popullin dhe njeriun, krenaria kombëtare dhe besimi në të ardhmen, ideja e madhe e çlirimit, formojnë thelbin romantik të veprës së tij. Naimi e afroi letërsinë me popullin, duke trajtuar tema të reja, të ndryshme nga ato të letërsisë së vjetër, temat e problemet e kohës. Në formimin e Naimit si poet ndikuan disa faktorë, por faktori kryesor ishte jeta e popullit të vet dhe lëvizja e tij për çlirim kombëtar. Naimi njohu disa tradita poetike të huaja, prej të cilave mori elemente që u tretën mjaft natyrshëm në veprën e vet. Por krijimtarisë së tij vulën e origjinalitetit ia vuri jeta dhe tradita historike e artistike e populli të vet. Traditat poetike popullore, që përbën një nga burimet e formimit të tij si poet, i dha shumë më tepër nga çdo traditë tjetër. Lidhja me të u shpreh jo vetëm në gjuhën e poezisë së Naimit dhe në figuracionin e pasur, por, në radhë të parë, në përmbajtje dhe në frymën e saj. Naimi është bilbili i gjuhës shqipe, mjeshtër i fjalës. Vepra e tij vuri bazat e gjuhës letrare kombëtare shqipe, e cila do të njihte më vonë një zhvillim të mëtejshëm, për të arritur gjer në shqipen e sotme letrare kombëtare të njësuar e të zhvilluar. Tradita që krijoi Naimi, është e gjallë dhe frymëzuese edhe në jetën e shoqërisë sonë të sotme. Naimi më tepër se shkrimtar, është poeti më i madh i Rilindjes sonë Kombëtare, është atdhetar, mendimtar dhe veprimtar i shquar i arsimit dhe i kulturës shqiptare. PASHKO VASA Pashko Vasa, i njohur sidomos me emrin Vaso Pasha, është një ndër udhëheqësit më të hershëm e më të njohur të lëvizjes sonë kombëtare. Ai ka hyrë në historinë e Rilindjes si ideolog dhe si poet i saj. Lindi në Shkodër më 1825. Mësoi disa gjuhë të huaja si autodidakt dhe fitoi një kulturë shumë të gjerë për kohën. Rreth vitit 1847 shkoi në Itali dhe mori pjesë me armë në dorë në revolucionin e Venedikut kundër pushtimit austriak. U tregua trim dhe me aftësi ushtarake. Pas dështimit të kësaj lëvizjeje, P.Vasa u vendos në Stamboll. Në Turqi P.Vasa u ngrit në shkallën e lartë të hierarkisë shtetërore. Nga viti 1883 e deri sa vdiq, më 1892 në Bejrut, ishte guvernatori i përgjithshëm i Libanit. Gjatë gjithë jetës së tij P.Vasa s'ka reshtur së menduari për Shqipërinë dhe ka dëshiruar ta shohë të lirë, të pavarur, e të kulturuar. Veprimtaria e tij politike fillon në vitet `60 në Stamboll, ku bashkëpunoi me K.Kristoforidhin, Ismail Qemalin, Hoxha Tasinin. Mori pjesë në përpjekjet për organizimin e shoqërive patriotike e kulturore, për krijimin e një alfabeti të shqipes dhe bashkë me Samiun ishte ndër themeluesit e Shoqërisë së të Shtypurit Shkronja Shqip. P.Vasa qe një nga frymëzuesit kryesorë të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe mbrojti me forcë çështjen kombëtare në Stamboll dhe në qarqet diplomatike jashtë perandorisë. Veprimtarinë letrare P.Vasa e zhvilloi kryesisht në vitet `50-`60 të shekullit XIX. Gjithë krijimtaria e tij lidhet ngushtë me atdheun, me historinë dhe lashtësinë e popullit shqiptar, me mbrojtjen e të drejtave të tij si komb. "A mos është krim ta duash vendin tënd? - shkruante ai. - Ajo që është një cilësi, një virtyt për të tjerët, nuk mund të jetë tjetër gjë për ne„. Shkroi poezi, prozë artistike, publicistikë dhe libra gjuhe. Veprat më të rëndësishme të P.Vasës janë: përmbledhja me vjersha "Trëndafila dhe gjemba„(1873), ku flet me zjarr e mall për vendlindjen dhe dëshiron lirinë e Shqipërisë. Më 1879 botoi frëngjisht trajtesën: "E vërteta për Shqipërinë dhe shqiptarët„, në të cilën argumenton lashtësinë e popullit shqiptar, tregon vetitë e tij dhe mbron të drejtat kombëtare. Botoi më 1890 romanin "Bardha e Temalit„ të shkruar frëngjisht, ku përshkruan zakone e doke të jetës shqiptare në sfondin e luftës për çlirim kombëtar. Shkroi edhe një "Gramatikë të shqipes për të huajt„(1887). Por kryet e vendit në krijimtarinë e tij e zë vjersha "O moj Shqypni„. Kjo vjershë lindi në ditët e stuhishme të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe qarkulloi gojë më gojë, ngandonjëherë edhe si këngë. Në të ndihet jehona e ngjarjeve dramatike që kalonte vendi ynë, kur shqiptarët mbronin me gjak trojet e tyre nga lakmitë e shovinistëve fqinjë dhe nga vendimet e padrejta të Kongresit të Berlinit. Vjersha sintetizon në mënyrë poetike gjithë idetë e mëdha të lëvizjes kombëtare dhe me patosin kushtues, shërben si një manifest poetik i saj. Vjersha është ndërtuar mbi bazën e antitezës. Për nga brendia ajo përmban dy pjesë, dy tablo të Shqipërisë. Në të parën, si gjithë rilindësit, me nota romantike e idealizuese autori prezanton të kaluarën, kurse në pjesën e dytë përshkruhet me ngjyra rrëqethëse gjendja e mjerë e atdheut të robëruar. Vjersha fillon me ton elegjiak, me një pyetje plot dhembje drejtuar Shqipërisë, që e kanë "qit me krye n'hi„, që s'e ka më forcën dhe lavdinë e mëparshme. Me një ndjenjë krenarie, poeti na jep përfytyrimin e dikurshëm, të Shqipërisë si një zonjë e rëndë, plot begati, trimëri e dinjitet e, mbi të gjitha, plot vlera njerëzore: O Moj Shqypni O moj Shqypni, e mjera Shqypni, Kush te ka qitë me krye n'hi? Ti ke pas kenë një zojë e randë, Burrat e dheut të thirrshin nanë. Ke pasë shumë t'mira e begati, Me varza t'bukura e me djelm t'ri, Gja e vend shumë, ara e bashtina, Me armë të bardha, me pushkë ltina, Me burra trima, me gra të dlira; Ti ndër gjith shoqet ke kenë ma e mira. Kur kriste pushka si me shkrep moti, Zogu i shqyptarit gjithmonë i zoti Ka kenë për luftë e n'luftë ka dekun E dhunë mbrapa kurr s'i mbetun. Kur ka lidhë besën burri i Shqypnisë, I ka shti dridhën gjithë Rumelisë; Ndër lufta t'rrebta gjithëkund ka ra, Me faqe t'bardhë gjithmonë asht da. * * * Por sot, Shqypni, pa m'thuej si je? Po sikur lisi i rrxuem përdhe, Shkon bota sipri, me kambë, të shklet E nji fjalë t'ambël askush s'ta flet. Si mal me borë, si fushë me lule Ke pas qenë veshun, sot je me crule, E s'të ka mbetun as em'n as besë; Vet e ke prishun për faqe t'zezë. Shqyptar', me vllazën jeni tuj u vra, Ndër nji qind ceta jeni shpërnda; Ca thone kam fč ca thonë kam din; Njeni:"jam turk", tjetri:"latin" Do thonë: "Jam grek", "shkje"-disa tjerë, Por jemi vllazën t'gjith more t'mjerë! Priftnit e hoxhët ju kanë hutue, Për me ju damun me ju vorfnue! Vjen njeri i huej e ju rri n'votër, Me ju turpnue me grue e motër, Poeti evokon me pak vargje edhe traditat luftarake e lavdinë e së kaluarës, ato vite kur besa dhe lufta e trimave shqiptarë bënin të dridhej qiell e dhè, të dridhej armiku otoman gjer thellë në strofkullën e tij. Këto vlera frymëzonin respekt të pakufishëm të të gjithë burrave ndaj Shqipërisë, duke pasur për nder ta quanin "nënë„. Poeti, si mjaft rilindës të tjerë, krijon raportin nënë-bir dhe e përdor si mjet themelor simbolin e figurës së nënës. Edhe më pas, thirrjet që u drejton bashkatdhetarëve, ua drejton në emër të kësaj lidhjeje, në emër të detyrës që ka çdo bir ndaj nënës, ndaj atdheut. Toni elegjiak rishfaqet në fillim të pjesës së dytë, përzier me mllef të papërmbajtur, kur i drejtohet zemër coptuar Shqipërisë: Po sot, Shqypni, po m'thuej si je?
Po sikur lisi i rrzuem përdhe!
Poeti zbulon edhe shkaqet e kësaj gjendjeje: shqiptarët kanë harruar "besën e të parëve„ dhe janë përçarë në Fè të ndryshme. Dhe si ideolog dhe militant i lëvizjes kombëtare, autori u drejtohet bashkatdhetarëve:
Po jeni vllazën t'gjithë, more t'mjerë Megjithëse toni elegjiak ndihet edhe në vargje të tjera të pjesës së dytë, poeti nuk bie në dëshpërim, madje me këtë mënyrë ai kërkon të prekë në sedër gjithë shqiptarët. Kujt i bën zemra të shohë të poshtëruar, të coptuar e të dobët nënën e dashur. Me besim të patundur në forcën dhe shpirtin patriotik dhe luftarak të tyre, poeti i jep tone burrërore vargut dhe ngre zërin për luftë të armatosur, si e vetmja rrugë për ta shpëtuar atdheun nga shtypja e mjerimi. Është nder që jetën t'ia falësh Shqipërisë. Vjersha që nis me një pasthirrme tronditëse, elegjiake, mbyllet me një apostrofë kushtruese:
Çoniu, shqiptarë, prej gjumit, çoniu,
të gjithë si vllazën n'një besë shtrëngoniu,
e mos shikjoni kisha e xhamia,
feja e shqiptarit asht shqiptaria!
Vetëm një atdhetarizëm i flaktë mund te krijonte vargje me një forcë të tillë, vargje që shpallën parullën e madhe rilindëse se kombi është mbi çdo fè, se shqiptaria, atdheu, e ardhmja e tij janë gjithçka. P. Vasa është një nga të parët që lëshoi kushtrimin për t'u bashkuar pa dallim feje.
Vërtet në pikëpamje të kompozicionit vjersha përbëhet prej dy pjesësh dhe theksi vihet më tepër tek e dyta, por patosi i saj i drejtohet edhe së ardhmes. Ajo u shkrua e frymëzuar nga aspiratat për ta parë Shqipërinë të lirë, të përparuar e plot dinjitet. Vjersha "O moj Shqypni„ është një nga krijimet më të frymëzuara të poezisë shqiptare.
Figuracioni i pasur e shprehës, epitetet, krahasimet, pyetjet retorike plot ngarkesë emocionale, shkodranishtja e kuptueshme dhe e ëmbël e bënë atë aq ndikues tek masat. Vargu dhjetërrokësh (pesërrokësh i dyzuar) i jep poezisë një ritëm marshi, në përputhje me përmbajtjen, duke sintetizuar thuajse gjithë idetë e lëvizjes kombëtare: krenarinë për të kaluarën, dashurinë për vendin, urrejtjen për robërinë, thirrjen për bashkim, vjersha "O moj Shqypni„ u bë një nga kryeveprat poetike të Rilindjes.
Shkruan prof, Halim Bytyqi